KRYEPLAKU SOJSËZ I FSHATIT SOJMIRË


KRYEPLAKU SOJSËZ I FSHATIT SOJMIRË


Shkruar nga KOLEC TRABOINI


U mblodh një pranverë në kuvend të madh, tërë fshati Sojmirë, që thuhet se racën e kishte të mirë, por kryeplakun e kishte sojsëz. Në shtatë fshatra përreth nuk gjendëj një njeri më nopran se ai kryeplak.
Sa u afrua kryeplaku tek sheshi, u ngritën në këmbë njerëzia duke i bërë nderime të mëdha, madje duke u përkulur deri përdhe. Pastaj, si u ulën, u ngrit mësuesi i fshatit e foli:
- I nderuari kryeplak, që zoti të dhashtë jetë sa mali i Pikëllimës e i Vetëtimës sëbashku, kemi menduar nën drejtimin tënd, të bëjmë një rrugë e të ndërtojmë një urë, se u dërrmuam baltërave e po lëmë shpirtërat e kockat në lumë.
- Nuk bëhet se nuk kemi para - dha hazërxhevap kryeplaku namuzli.
Atëherë njerëzit u shpërndanë, e dikur, kur i mblodhën paratë, i shkuan kryeplakut prapë, kësaj radhë shënd e verë e me shpirt të lehtësuar.
- I mblodhëm o kryeplak, prandaj jep urdhër të fillojmë nga puna.
Kryeplaku u ngrys. Kokën e ngriti lart, por shkopin e përplasi poshtë në tokë:
- Nuk bëhët dhe pikë,- tha dhe krisi e iku duke i lënë fshatarët me gojë hapur e me zëmër të ngrirë se ju humbi shpresa që të shpëtonin prej baltovinës e lumit të egersuar që merrte shpirtëra njerëzish për çdo vit të perëndisë.
I gjeti belaja njerëzit me atë kryeplak. Kaloi dhe ai dimër, iku pranvera, u fry e u ul lumi e dikur një fshatar i zgjuar, që ia dinte huqet kryeplakut, i vete në shtëpi e bashkë dredhin miqësisht duhan. Ishin miq të vjetër e nuk ja prishnin njëri-tjetrit.
I thotë miku kryeplakut:
- Po si more miku im kryeplak nuk i lejove fshatarët të bëjnë rrugën me parët e veta, por i le të mbyten baltërave.
Kryeplaku i murrëtyer e i vendosur në të tijën, u pergjegj:
- Le të zhytën e të mbytën kur s'kanë mënd.
- Po pse o i uruari i perëndisë? Pse nuk kanë mënd?
- Sepse,- tha kryeplaku - Paratë vertetë i kanë të tyret, por vula është e imja, pastaj pse jam unë kryeplak,duhet të them unë i pari se çfarë do bëhët në këtë fshat e jo fshatarët.
- Po si i bëhet hallit - i tha miku.
- E zgjidh unë atë punë, se për këtë jam kryeplak, - tha kryeplaku dhe e porositi:
- Do të mbledhësh tërë fshatarët në shesh të bëjmë kuvënd, por shiko, sakën se e zë njëri në gojë atë punën e rrugës e të urës, se sa të jem gjallë unë ajo punë nuk do të bëhet.
Miku hoqi dorë nga çdo përpjekje dhe bëri çfarë i tha kryeplaku sojzi.
U mblodh prapë fshati Sojmirë me shpirt të drithëruar, se çfarë nuk pritej nga ai kryeplak sojzi, prandaj dhe vëndosi që sido që të vinte puna, ta mbanin gojën kyçur, e kyçin ta hidhnin në lumë. Ndryshe nuk bëhej.
Erdhi kryeplaku. Të gjithë kokat ulur. Asnjë pipëtimë.
- Po pse më jeni ngrysur kështu sikur u kanë lënë gratë- u tha kryeplaku.
Hiç ata. Asnjë fjalë. Edhe pse si burra u prekën në sedër.
- Po flisni bre,- u thërriti kryeplaku,- se nuk ju kanë ngordhur as gomerët, de!
Kur e pa se fshati ishte urtësuar, kryeplaku qëroi gurmazin e nisi të fliste rëndë e rëndë:
- Pse merziteni. Keni kryeplakun që mendon për ju sa orë ka dita e aq sa ka nata, pra natë e ditë e ditë e natë.
Si pushoi pak, vazhdoi sërish:
- Që thoni ju, që s'thatë asgjë, më ka vajtur mëndja për një gjë të re. Që këtu në fshat të ndërtojmë një rrugë dhe një urë që të shpëtoni nga hallet.
Njerëzit rrinin pa folur nga frika se i kthehej mëndja kryeplakut sojsëz.
- More, pse më rrini si hunj gardhi. Nuk ju pëlqen kjo mëndja ime? Nuk doni të bëhet rruga?
Fshatarët e ngratë, që nuk dinin si të bënin, rrinin vertetë si hunj.
Atëherë kryeplaku mori zjarr e tha:
- Nuk mund të bëhet kurrgjë në këtë fshat, pa më vajtur mëndja mua dhe pa e thënë fjalën unë i pari. Ta kenë vath në vesh, jo vetem ata të kalemit, por edhe ata të kobures. Dhe bëni mirë që s'flisni se po të kishit folur, edhe dhjetë vjet të tjera do të ishit zhgërryër nëpër baltëra.
Kryeplaku, si mbaroi oratorinë, nxori kutinë e duhanit, pa nga miku i vet përballë me nënkuptim dhe i tha kasnecit që i rrinte gjithnjë nga pas si hije:
- Na more ti, ç'më rri si bufi në mes të ditës. Vër tëllallin shtëpi në shtëpi se me idenë e propozimin e kryeplakut të fshatit Sojmirë, që nesër fillon puna për ndërtimin e rrugës dhe urës. Me firmë e me vulë. U tha e u bë. Kryeplaku dora vetë. DV.
U bë se tha kryeplaku se ndryshe nuk bëhej. Ose edhe mund të bëhej, por do të prishej deri sa t'i mbushej mëndja kryeplakut sojsëz. Se kryeplak ish e një mëndje kish. Dhe ajo mëndje duhej të ishte e para, e të tjerët nuk duhet të mendonin e bënin kurrgjë, pa firmën e vulën e tij, vulë që edhe sot e kësaj dite e mbajnë për brezi tërë kryepleqtë e partive e të shoqatave në Shqipëri e Kosovë e tej e përtej Shqipërisë e Kosovës, këtu në Amerikë më shumë, por edhe kudo nëpër botë, ku këtyre lloj kryepleqësh sojsëz e gojëprishur t'u ketë zënë bytha postiqe, se për rehatin e saj të shkretë mendojnë e punojnë thuaj të gjithë kryepleqtë e sojit tonë kombëtar.
- E sa kryepleq të tillë si sojziu i Sojmirës kemi a kemi patur në histori?- do të pyesë më të drejtë lexuesi.
Një fjalë është e saktë:
Më shumë kryepleq së sa pleq!


Maj 2004