KRYEPLAKU SOJSËZ I FSHATIT SOJMIRË


KRYEPLAKU SOJSËZ I FSHATIT SOJMIRË


Shkruar nga KOLEC TRABOINI


U mblodh një pranverë në kuvend të madh, tërë fshati Sojmirë, që thuhet se racën e kishte të mirë, por kryeplakun e kishte sojsëz. Në shtatë fshatra përreth nuk gjendëj një njeri më nopran se ai kryeplak.
Sa u afrua kryeplaku tek sheshi, u ngritën në këmbë njerëzia duke i bërë nderime të mëdha, madje duke u përkulur deri përdhe. Pastaj, si u ulën, u ngrit mësuesi i fshatit e foli:
- I nderuari kryeplak, që zoti të dhashtë jetë sa mali i Pikëllimës e i Vetëtimës sëbashku, kemi menduar nën drejtimin tënd, të bëjmë një rrugë e të ndërtojmë një urë, se u dërrmuam baltërave e po lëmë shpirtërat e kockat në lumë.
- Nuk bëhet se nuk kemi para - dha hazërxhevap kryeplaku namuzli.
Atëherë njerëzit u shpërndanë, e dikur, kur i mblodhën paratë, i shkuan kryeplakut prapë, kësaj radhë shënd e verë e me shpirt të lehtësuar.
- I mblodhëm o kryeplak, prandaj jep urdhër të fillojmë nga puna.
Kryeplaku u ngrys. Kokën e ngriti lart, por shkopin e përplasi poshtë në tokë:
- Nuk bëhët dhe pikë,- tha dhe krisi e iku duke i lënë fshatarët me gojë hapur e me zëmër të ngrirë se ju humbi shpresa që të shpëtonin prej baltovinës e lumit të egersuar që merrte shpirtëra njerëzish për çdo vit të perëndisë.
I gjeti belaja njerëzit me atë kryeplak. Kaloi dhe ai dimër, iku pranvera, u fry e u ul lumi e dikur një fshatar i zgjuar, që ia dinte huqet kryeplakut, i vete në shtëpi e bashkë dredhin miqësisht duhan. Ishin miq të vjetër e nuk ja prishnin njëri-tjetrit.
I thotë miku kryeplakut:
- Po si more miku im kryeplak nuk i lejove fshatarët të bëjnë rrugën me parët e veta, por i le të mbyten baltërave.
Kryeplaku i murrëtyer e i vendosur në të tijën, u pergjegj:
- Le të zhytën e të mbytën kur s'kanë mënd.
- Po pse o i uruari i perëndisë? Pse nuk kanë mënd?
- Sepse,- tha kryeplaku - Paratë vertetë i kanë të tyret, por vula është e imja, pastaj pse jam unë kryeplak,duhet të them unë i pari se çfarë do bëhët në këtë fshat e jo fshatarët.
- Po si i bëhet hallit - i tha miku.
- E zgjidh unë atë punë, se për këtë jam kryeplak, - tha kryeplaku dhe e porositi:
- Do të mbledhësh tërë fshatarët në shesh të bëjmë kuvënd, por shiko, sakën se e zë njëri në gojë atë punën e rrugës e të urës, se sa të jem gjallë unë ajo punë nuk do të bëhet.
Miku hoqi dorë nga çdo përpjekje dhe bëri çfarë i tha kryeplaku sojzi.
U mblodh prapë fshati Sojmirë me shpirt të drithëruar, se çfarë nuk pritej nga ai kryeplak sojzi, prandaj dhe vëndosi që sido që të vinte puna, ta mbanin gojën kyçur, e kyçin ta hidhnin në lumë. Ndryshe nuk bëhej.
Erdhi kryeplaku. Të gjithë kokat ulur. Asnjë pipëtimë.
- Po pse më jeni ngrysur kështu sikur u kanë lënë gratë- u tha kryeplaku.
Hiç ata. Asnjë fjalë. Edhe pse si burra u prekën në sedër.
- Po flisni bre,- u thërriti kryeplaku,- se nuk ju kanë ngordhur as gomerët, de!
Kur e pa se fshati ishte urtësuar, kryeplaku qëroi gurmazin e nisi të fliste rëndë e rëndë:
- Pse merziteni. Keni kryeplakun që mendon për ju sa orë ka dita e aq sa ka nata, pra natë e ditë e ditë e natë.
Si pushoi pak, vazhdoi sërish:
- Që thoni ju, që s'thatë asgjë, më ka vajtur mëndja për një gjë të re. Që këtu në fshat të ndërtojmë një rrugë dhe një urë që të shpëtoni nga hallet.
Njerëzit rrinin pa folur nga frika se i kthehej mëndja kryeplakut sojsëz.
- More, pse më rrini si hunj gardhi. Nuk ju pëlqen kjo mëndja ime? Nuk doni të bëhet rruga?
Fshatarët e ngratë, që nuk dinin si të bënin, rrinin vertetë si hunj.
Atëherë kryeplaku mori zjarr e tha:
- Nuk mund të bëhet kurrgjë në këtë fshat, pa më vajtur mëndja mua dhe pa e thënë fjalën unë i pari. Ta kenë vath në vesh, jo vetem ata të kalemit, por edhe ata të kobures. Dhe bëni mirë që s'flisni se po të kishit folur, edhe dhjetë vjet të tjera do të ishit zhgërryër nëpër baltëra.
Kryeplaku, si mbaroi oratorinë, nxori kutinë e duhanit, pa nga miku i vet përballë me nënkuptim dhe i tha kasnecit që i rrinte gjithnjë nga pas si hije:
- Na more ti, ç'më rri si bufi në mes të ditës. Vër tëllallin shtëpi në shtëpi se me idenë e propozimin e kryeplakut të fshatit Sojmirë, që nesër fillon puna për ndërtimin e rrugës dhe urës. Me firmë e me vulë. U tha e u bë. Kryeplaku dora vetë. DV.
U bë se tha kryeplaku se ndryshe nuk bëhej. Ose edhe mund të bëhej, por do të prishej deri sa t'i mbushej mëndja kryeplakut sojsëz. Se kryeplak ish e një mëndje kish. Dhe ajo mëndje duhej të ishte e para, e të tjerët nuk duhet të mendonin e bënin kurrgjë, pa firmën e vulën e tij, vulë që edhe sot e kësaj dite e mbajnë për brezi tërë kryepleqtë e partive e të shoqatave në Shqipëri e Kosovë e tej e përtej Shqipërisë e Kosovës, këtu në Amerikë më shumë, por edhe kudo nëpër botë, ku këtyre lloj kryepleqësh sojsëz e gojëprishur t'u ketë zënë bytha postiqe, se për rehatin e saj të shkretë mendojnë e punojnë thuaj të gjithë kryepleqtë e sojit tonë kombëtar.
- E sa kryepleq të tillë si sojziu i Sojmirës kemi a kemi patur në histori?- do të pyesë më të drejtë lexuesi.
Një fjalë është e saktë:
Më shumë kryepleq së sa pleq!


Maj 2004

MË SHKOI JETA PËRJASHTA - alegori shkodrane

Alegori shkodrane
SHKOI JETA PËRJASHTA…


Nga KOLEC TRABOINI


Po ku je që humbe, o miku im Gjel Ficrraku, që ma ke fut një bajonetë të ndryshkun mu në shpirtin tem e gruas teme ja ke fut një derr xhelozie të tmerrshme. Po ti deshe me na vra të dyve a. Po ç'ka të hypi a çka dreqin pate, që me ike e me le në të thatë, se të kisha vëlla e shkuar vëllai? Pse s'po na merr ma në telefun. Na ka marrë malli se për katër vjet që ka falë zoti, na ke marrë në tele-merre-lene, para se me më perjashtue nga shoqata "Shkrimtaria Kallamishtes", sa gruaja një herë më pat thanë:
- Po ç'ka don ky Gjel Ficrraku prej teje, së unë po bahem xheloze e tmerrshme, për ma tepër edhe zanin e ka të butë si femen... Si e ka hallin...Mos është beqare?
Mu besa më erdhi turp, fërkova mustaqet( i kam lanë mustaqet e kokën e kam rrue si dac frori). - Shiko grue - i thashë, mos fol ashtu për vëllain tem të shpirtit...
- Po unë kam mendimin tem - me tha gruaje, - jena në demokraci. Nuk më ndalon të flas se të hedh në gjyq. Mua më duket si me kenë ashtushi, si i thone de, që dalin në televizor me flamurin me ngjyra ylberi....dhe ju pelqen mbrapa...
-Tyrbe estak furullak -i thashë, - Jam burrë me namuz, e mos fol. Nuk asht ashtu si thue ti, miku em.
- Pse ç’a ka? Këtu në Amerikë këto gjana janë normale. Nuk ashte ofendim se televizori ata i nxjerr perditë në krye të vendit. Xhorxh Majkell Greku ben seks mashkullor në nevojtoret publike të Kalifornisë për shtatë palë qefe. Tash flasin se ja ka ndi lezetin te prapmes edhe nji kongresmen, qe e ka emnin me Grrak a Krak kush Buna e merr vesh.… Për ata flasin kandidatët për president të Amerikës. Ata janë të privilegjuem. Prandaj uli puplat se nuk po ta ofendon njeri zâhollin tand.... Madje ata ylberat edhe krenohen. Ylberat për dylberat! Hahahahaa! E mos u mundo me na hjellë hi syve...
Nervat e gruas përditë keq e ma keq me një xhelozi të padurueshme.
E shkreta grua, po vuante shumë. Një herë, për t,a zbut, iu afrova e nisa ta përkëdhel si dikur në rini. U zbut si mace e vogël, e thinjur. I shkuan lotë. Mirëpo, pas pak, sa ra një zile telefoni në shtëpi, ajo brrofi në kambë.
-Ik- më tha - shko e fol me atë femnushin në verandë përjashta. Nuk du të më përkëdhelësh fare. Nuk kam punë me ty. Ik të thashë, e mos më prek se lajmërova 911, dhe e kalove sonte natën në qeli tuj andrrue për atë shtatëkolorshin…
Më nxorri gruaja jashtë. Më kujtoj edhe qelinë e burgut. Çfarë të bëja.Mblodha mendjen e ika ku më thanë.
Atë natë nuk më pranoi as në krevat.
- Ik -më bërtiti.- ndryshe i rashë 911-tës.
Vajta tek dhoma e kompiuterit e aty u dremita por, për të fjetur nuk fjeta dot. Ishte e dyta herë që ma përmendëte atë numur të policisë urgjente. E kisha punën pisk. Por edhe me mikun tim të shoqatës "Shkrimtaria Kallamishtes" Gjel Ficrrakun, më polli groshi. Nisi të shikonte me xhelozi çdo punë që bëja unë në shkrimtarinë e kallamishtes.
- Ti - më tha një ditë,- nuk duhet të thuash antarëve se je bashkëformues i shoqatës “Shkrimtaria e Kallamishtes”, sepse jam unë që e kam formue e jo ti. Pra, - më tha prerë,- themelues është Gjel Ficrraku dhe jo Kalem Taraboshi.
E kundërshtova se ishte, si t’i thuash një babai se ky nuk është djali yt. E lamë që këtë punë ta shihnim si kryesi. Mirëpo nuk më thirrën dhe telefoni mesa duket po dilte jashtë përdorimit në linjë të largët me Gjel Ficrrakun. Mbeta si qyqar.Xhelozi këndej e xhelozi andej .
Shurdh këndej e memec andej. E ma për dreq, gruaja më përjashtoi këtej e miku-vëlla prej andej, sepse mblodhi kryesinë e me një vendim rrufe, i perkrahur nga Fytyrvrerosuri , Pipiruqi i kryesisë e ca zhugaxhij të tjerë, më shpallën devijator dhe prishës të rendit e të virgjërisë së shoqates "Kallamishtja".
Me një fjalë, më përjashtuan gruaja prej shtëpisë e miku prej shkrimtarisë.
Pra, i përjashtuar dy herë nga shtëpia dhe shoqata, tashmë, isha unë i mjeri Kalem Taraboshi.. . Tamam si në kohën e diktaturës që, kur të përjashtonte partia, të linte edhe gruaja. O zot, çfarë më gjeti. Ç'më bëre, mor Gjel Ficrraku! Të kisha dhe mik, more, si më përjashtove vetëm që të marrësh në dorë frenat e kryesisë së shoqatës, që të shpalleshe themelues i vetëm, i perjetshëm, e që të të mbetej emri në histori...?!
Kur e mori vesh gruaja se më përjashtoi Gjel Ficrraku nga shkrimtaria "Kallamishtja", u krekos e më tha:
- Të thashë unë së është përdredhc, ashtushi ... Doli fjala jeme...ka gjetur ndonjë tjetër që, mesa duket, ja këndon amël tek veshi e pak ma poshtë…
- Pusho- i thashë, - pusho...Prap atë avaz ke. Nuk ështe miku im ashtushi.
- Të padis në gjyq -më kërcënoi.- Mos ma ndalo të drejtën e fjalës. Nuk jemi këtu tek Kallamishtja e Gjel Ficrrakut...
E vazhdoi si gratë, që kur nxehen, i thonë të gjitha të vertetat e të pavërtetat. Se kështu është: Burri me të dehur e gruaja me të nxehur. E jo vetëm nuk donte të pushonte por më tha se do të bërtiste fort që ta mësojnë të gjithë se ai Themeluesi, Gjel Ficrraku, na e ka ça të çamen për katër vjet...e tash tuj e perdredh të mbrapmen si mulliri i Hajdar Agës, të ka nxjerrë jashtë prej "Kallamishtes.". Shume mirë ta ka ba...E meriton ! Bravissimo Gjel Ficrraku!
Unë mendova se gruaja pushoi, por ajo vazhdoi prap me një breshëri të re fjalësh.
- Më ka ofendue edhe mue se do të më thonë shoqet, gruaja e shkrimtarit të përjashtuar...Iku nderi i familjes. Më mbetën fëmijët e mi pa u martuar se, kush e merr vajzën a djalin e një shkrimtarit të përjashtuar me inicialet K.T. Sa fatzez që janë këta emrat me inicialet K.T.
- Mos e ke fjalën për Keti Trajanin.
- Jo - më tha ajo e nxehur. Se Keti Trajanin nuk e ka dënue njeri. E kam për ty, Kalem Taraboshi dhe për Kasem Trebeshinën.
- Po.- i thashë - ke të drejtë të dy KT jemi.
Çfarë t’i thosha, se gruaja po kalonte në fazë më keq se unë?! Çakërdisur fare. Ah, çfarë të bëka përjashtimi, ç'na bëre lëmsh, mor Gjel Ficrraku.
- Po unë nuk jam Kasëm Trebeshina moj grua- i thashë,- e Enveri me Ramizin kanë shkue në të sëmës..
Ajo mu hodh përpara fytyrës e me motorra të nxehur si të ishte një çyryk anije, shfryjti:
- Ashtu shkoftë edhe ky shoku jot, me za femne, që për katër vjet më ka fut në shpirt një xhelozi të tmerrshme e kam dashtë me të hedh në gjyq e me të nda, mor qyq. Po shyqyr u ba kështu, e tash jam rahatu se edhe telefoni i atij përdredhcit nuk po na e çan ma veshët. Duket ka gjetë ndonji burrë tjetër që i bën hyzmet. Të shkretat na gratë çka hjekim...
Çfarë ti thosha? Ti thosha se asaj i ka fut në shpirt xhelozi e mua më ka fut një thikë, sepse më ndau prej shkrimtarisë prej xhelozie. Por nuk fola. Vetëm dëgjoja. Eja e mos i dëgjo gratë, po deshe. Të pret bishti i fshesës dhe "perjashta!"…
Po në Greqi? Skupa dhe atje. Përjashta!.
Po në Itali, Fuori. Përjashta!.
Mallkoj vehten që kam lind, mallkoj atë çast në maternitet, kur isha në bark të nënës e një zë i rreptë mamije më pat thërritur "përjashta", e që atëherë e sot e kësaj dite, nuk m’u ndanë përjashtimet. Pra si i thonë fjalës, më shkoi jeta i përjashtuar. Po shyqyr që është verë e nuk më ngrijnë kockat, se për të tjerat, kush po pj…. për Gjel Ficrrakun.
Përralla në lesh e shëndeti prej nesh!

2004
Nga libri “Koha e prostitutave” 2007

LESBIKJA E SHABAN LLAPIT


LESBIKJA E SHABAN LLAPIT


Nga KOLEC TRABOINI


Kisha vite pa e parë Shaban Llapin. E kam kushuri por edhe shok fëmijërie. Edhe rininë bashkë e kemi kalur sepse kemi qënë moshatarë e jemi gjendur në të njëtën shkollë. Duke qenë se ishim të dy të zbritun në Prishtinë, bëmë ujdi për të qënë afër njëri-tjetrit për çdo hall e nevojë.

Mirëpo kushua im më iku në Gjermani e ma la shtëpinë nën kujdes. Kishte shkuar këtu e dhjetë vjet i përhumbur pas pares së thatë. Nuk u bë i gjallë veç me ndonjë telefonatë të nxituar. S'u kthye një herë në shtëpi të vet që është ngjit me shtëpinë time. Më dukej ajo shtëpi si fole kukuvajkash. Dhjetë vjet pa zjarr në vatër. Bash këto ditë janari me borë, ra zilja e derës e meqë u gjënda në shtëpi vetëm, dola në prag të shoh mos ishte gruaja me fëmijët që kishin shkuar në tregtore. Çfarë të shoh?! Shaban Llapi, trupgjatë e i sertë, besa edhe i zbardhuem, sikur t’i kish ra në kokë bora e Sharrit.

U përqafuam e u përlotëm me shishe rakije përpara. Kur biseda u ndez fort për problemet që na kanë pllakosë si komb shqiptar, më kthehet e më thotë ;

- Po ti ke harrue kompiuterin hapur, lum Lumbardhi.

- Ke të drejtë - ia ktheva.- Ja po e shuaj ate bela.

- Jo, more- ma ktheu e u ul me sy të shqyer para ekranit. - A po shkruake poezi, a?

- Jo, por....- iu gjegja.

- Si por. Kjo poezia "Kapaku i librit" për çka flet?

U mblodha si urith nën dhè e nuk po dija si me i spjegue se po shikoja një veb-sajt interneti, kur ai u hodh përpjetë sikur ta kishte pickuar miza në vend të keq.

- Ç'pate ?- e pyeta.

- Si ç'pata mor Lumëbardh, more lumëzi...Po me piçka merresh, more faqja e zezë.

Po gruaja jote, zonja Drinush a ti di këto piçkat e tua , more kusho?

-Nuk i di - i thashë.Çfarë t’i thosha.

U ngrit në këmbë e bëri të dilte.

- Jazëk!Më fëlliqe fisin me këto piçkat e internetit.

- Dale e qetësova. Nuk e kam shkruar unë.

- Po kush bre se po më pëlcet xhani, se ma shthurën kushon, more zagararicat e internetit.

I tregova me durim se si e qysh e kisha gjetur poezinë "Kapaku i librit", i tregova për konkursin letrar që ishte mbyll në fund të dhjetorit e çmimet që do të ndaheshin në fillim të shkurtit. Shtova se për atë poezi kisha vrejtje serioze sepse kishte banalitete. Pastaj me të mirë, duke i mbush gotën e rakisë, i thashë se do të jetë ndonjë horr Prishtine a Prizreni që e ka shkruar.

Shaban Llapit nuk ju mbush mendja, por u ul ta lexonte sërish poezinë "Kapaku i librit". Si e lexoi dy a tri herë, u kthye nga unë e më tha, se kapaku nuk ishte kurrgjë tjetër veç të mbathunave të grave.

- Breçkat - u nguta t’i them unë.

- Ashtu duken- tha me ton mosbesues Shaba, dhe shtoi: -Me çka nuhas unë si ujk i vjetër, autori është femër e ja thashka mirë seksit.

- Luaj vendit, bre Shabë, se po të kthehem unë tashti. E ku e di ti?

- Intuita si mashkull gjermanije me pasaportë dojçi nuk më gabon. Madje lum miku kjo e paska tullë, e ajo tjetra si drizë.

Po rrija e shihja si tuaf. Vrisja mendjen se c’ka ishin ato tulla e driza, kurrqysh pa ditur se ku donte të dilte kushua, i cili nisi ti recitonte vargjet një e nga një...sa thashë e humbi pusullën edhe ky si unë.

- E gjeta-, tha pastaj triumfator.

- Çfarë gjete, mor Shaban Llapi?

Shaba më pa në dritë të syrit sikur donte të blente mendimin, dija apo bëja sikur nuk e dija çfarë kishte zbuluar ai. E kur e pa se isha i hallakatun si duhëm dëbore, i dha karar të më spjegojë.

- Kjo more lum miku është femër. Femër që i këndon një femre tjetër. E ja këndon me sekse e me një ndjesie thuaj mashkullore. Shiko si ja prek me gishtrinj barkun. E ledhaton. I thotë unë jam brënda drizës tënde si lesh arapi si ti brënda tullës sime. Kjo ështe Lesbike. E mos u merr shumë me të, se kjo me fjalë ta rren mendjen, por shpirtin e ka me femna.

Nuk dija çfarë ti thoja kushos tim, që kishte parë botë me sy e dinte më shumë se sa unë që nuk kisha dalë kurrë jashtë shtetit veç deri në Kukës e Tetovë, e prej krevatit bashkshortor kurrë e kurrës.
E çfarë të bën bota e kulturuar , thashë me vehte i zhgrehur fare, sa të ditur të bën dalja jashtë, ja shiko kushon Shaban Llapi, çfarë intuite ka. Mua të mbyllurit kurrë nuk do të ma priste mendja kaq hollë se autor poezie do të ishte një femër që e sheh vehten lakuriq përpara një femre tjetër. Ah, moj Gjermani, si na i përparove djemt ë e këtij vendi të humbur - thashë me vehte.

- Shiko,- m’u kthye sërisht Shaba, tashmë duke u ndjerë i sigurt në përvojën e vet gjermanike. Kjo është si është po ka edhe më keq...ka që e bëjnë edhe me qentë. Heqin kapakun e librit dhe ua lëpin qeni... E çfarë nuk bëjnë gjermankat...
Duke dashur që të jem edhe unë në bisedë, se nuk doja ta lija veten të dukesha shushko para kushos që kishte bredh botën, ja ktheva:

- Me qentë e çarshisë, pazarit, desha me thanë.Për ata më flet?!

- Jo more por me qenin e shtëpisë, se mund të ketë shtëpi pa burrë, por jo pa qen, lum kushua.

- Në Gjermani?! Po matanë Atllantikut a ndodh kështu, se kam merakun e vëllait të gruas që ka shkuar në Nju Jork?

- Në Amerikë, mo?- ma ktheu menjëherë Shaba.

- Kush e di, ndoshta dhe atje...-thashë dyshues.

- O Lumëbardh Llapi- ma preu fjalën, - U plake e dorë nuk hoqe sa t’u bë dhe varri karroqe....... E di atë këngën. Kështu dhe me amerikankat. Atje luan bananja e zezë or mik, - tha duke picërruar sytë me djallëzi.
Nga që nuk po kuptoja çfarë më thoshte, mbylla kompiuterin e ia ktheva paq:

- Neve nuk na ka sjellë KFOR-i banane të zeza...

- Ka sjellë, more kusho vëllai, ka sjellë. Por ti si naiv i padalë që je, nuk di t’i japësh dum kësaj pune. Dil në dritare! - më tha.

Dola në dritare. Në rrugën përballë lokalit "Zogu i Zi i Dardanisë" shoh një makinë të KFOR-it të ndaluar. Pijnë votkë, thashë me vete

-Prit në dritare deri sa të dalin të zotët e xhipsit, - më tha.

Prita pak, kur ja u duken katër vetë me uniforma ushtarake.

- Dolën,-i thashë serbez Shabës, i cili mu afrua me nxitim.

- Nuk i sheh, -me tha.

- Po ç'të shoh, more Shabë, se më plase.

- Ushtarët amerikanë nuk i sheh çfarë ngjyre kanë?

- Të zinjë janë,- ia ktheva. Pastaj shtova- për racizëm m’i thua këto fjalë , o kusho?

Po nuk ke faj se ke jetuar 10 vjet në Gjermani ku mbase ka edhe nostalgjikë për nazizmin, se ti e di qe edhe, i biri i Dajanës u vesh me kostum fashist në festë shkollore.

- Oh, more Lumëbardh, sa naiv që je, - ma ktheu Shaban Llapi, e vazhdoi: - Nuk është fjala për racizëm e as për nazizëm, po bash për banane.

- E ç'hyn bananja këtu?- ja ktheva i shpupurishur si këndezi në pleh.

- Nuk hyn këtu po hyn atje në Amerikë. Po edhe këtu nga pak.

- Bananja e zezë ?!

- Po more, po…Apo nuk kanë një banane ata që i mbledh si kunj mullari tërë bjondet e Amerikës.

Desha të flas po ç'të thosha.T’i thosha se këta afroamerikanët qënkan si kulmaket e zhugës që banorët e Ulqininit i përdorin për të varur vargun e qepëve të kuqe, që sa herë i shoh në tra më fanepsen si amerikanka bjonde dhe më bëhet se dëgjoj zërin e Hazir Jevgut të Qarshisë "Mos i merrni gratë bjonde se ato janë vagabonde"

... Ja ç'do të thotë të dalësh jashtë, thashë me vehte, merr vesh edhe nga lesbiket, edhe nga bananet e zeza por edhe nga amerikankat. Ec mos dil jashtë shtetit po deshe, ngele qyq tërë jetën.


19 janar 2005


Nga libri "Koha e prostitutave: 2007