KRESHNIKU I HOTIT- nga Kolec Traboini


KRESHNIKU I HOTIT
Rrëfim në shëmbëllesën e Dedë Gjo Lulit

Shkruar nga KOLEC TRABOINI

Shtegu në mes të dy shkëmbinjve vinte i ngushtë sa mund të kalonte vetëm një njeri. Pushkën e
mbante në dorën e majtë. Dëgjoi diçka që lëvizi, si të rrëzohej prej shkëmbit, por s'pati kohë të
merrte vesh çfarë ishte, se një peshë e rëndë i ra mbi kurriz. Mbi të ishin hedhur ushtarët që më
shumë se sa flisnin në gjuhën e tyre, lëshonin ulërima që të kujtonin një tufë ujqërish që kishin
rënë në pré. Plaku i bardhë, i lindur në Bardhaj të Hotit, nxori koburen me të djathtën dhe qëlloi, por plumbat fluturuan pa zënë në mish te huaj. Pastaj fuqitë e lanë.
«Shtatëdhjetë e pesë vjet për një burrë janë shumë», tha për herë të parë në jetën e tij, kur e pa
veten të lidhur. E morën përpara dhe e çuan në kullën në krye të kodrës, ku ishte komanda e
pushtuesve. «Të bukur kuvend mblodhe në Kullë» - ofshani me vete, duke shtrënguar nofullat. Përballë i doli një kapiten i ushtrisë së huaj.
- Kush je ti që shëtit si zog i lirë në male?
- Shqiptar jam.
- Ç’e do pushkën?
- Shqiptari pa pushkë ashtë si zogu pa krahë.
- Si e ndjen veten?
- Keq – u gjegj malësori duke lëvizur krahët e tij të lidhur me litar. Pastaj shtoi; - Por jo edhe aq
keq. Oficeri iu afrua dhe i tha të rrinte në një stol druri që kushedi se kush e kishte gdhëndur. Si
do të ulej në drurin e tokës së vet i lidhur? Qëndroi në këmbë në mes të dhomës, i ashpër sikur
tiparet t'i kishte prej guri, si një shkëmb që vetëm rastësisht qe shkëputur nga mali.
- A ke emër? - e pyeti oficeri.
- Shqiptar, e thashë një herë.
- Dëgjo, shqiptar - tha oficeri. - Ne jemi aleatë. Ju jeni pak, kemi ardhur t'ju mbrojmë.
- E di - tha plaku.
- Kasollet tuaja do t'i mbrojmë ne. Ju vetëm arat dhe bagëtitë shikoni.
- Edhe këtë e di - tha plaku. - Po ky karakoll na kushton shtrenjtë, e nuk kemi si ta paguajmë veç me plumb. Ju kërkoni atë që kushton ma shumë se buka e mishi.
Oficeri, pasi e zgjidhi plakun e bardhë, i zgjati kutinë e duhanit, të cilën robi nuk e mori.
- E pimë të fortë ne, shqiptarët.
- Po kur nuk ka të fortë?
- Barut - tha plaku.- Barut.
- Trimat ku i ke?
- Malit. E ç’ka duan trimat në vathë?
- Do të lë të lirë, po t'i sjellësh këtu.
- Çdo berr varet në çengelin e vet.
- Thuaju një herë. Në ardhshin, të falur janë.
Plaku mendoi se mbase i vinte rasti t'u ikte armiqve, por më pas qeshi me rrekën e vet.
- Pushkën -tha plaku.
- S'ka ç'të duhet, të mbrojnë ushtarët e mi.
- Edhe këtë e dija - tha plaku i bardhë i Bardhajve të Hotit. Ndjeu diçka në shpirt. Vendosi të
shëtiste pak kohë nëpër male. Le te çmallej, se nuk i dihej ç'do të ndodhte. U nis me hap të lehtë
përmes shkëmbinjve i pa armatosur. E para herë që prej gjashtëdhjetë vjetëve që alltia e tij nuk
ndodhej në brez, por në duart e të huajve. Plaku i bardhë i Hotit ecte lehtë përmbi gurët që të mos i lëndonte. I dukej se edhe shkëmbi ndjente dhembje. Kudo të huaj. Mbi këtë tokë të varfër
vërshuan mijëra ushtarë që t'ia rrëmbenin të vetmen pasuri, lirinë. Dy pushtues ecnin pas tij. Të
tjerët përgjonin diku larg që t'i zinin shqiptarët në befasi. Plaku mendoi për trimat e vet që i
kishte lënë në një fshat pas malit, diku andej nga Trapat e Vjerdhës. Ata pritnin prijësin që s'do të kthehej kurrë më. Po fundja ato do të zgjidhnin një prijës të ri. Iu kujtua se kur qe ndarë me të
katër malësoret e fundit që e përcollën deri në shtegun e Oroshit. Njëri nga ata, korrieri me
flamur Preloc Prek Peci, kishte dashur t'i vinte pas. Plaku diçka kishte ndjerë në shpirt dhe kishte vendosur të shkonte vetëm në kuvend. «Ata shpëtuan për mrekulli. Janë të rinj e trima. Pushkën nuk e ndajnë nga vetja, gjersa të bien një ditë. Se trimat atë fat kanë. Ja kanë mëkuar zanat e bjeshkëve qysh në djep me qumështin gjirit. Unë kam jetuar mjaft. Ohu, shtatëdhjetë e pesë vjet
nuk janë pak, megjithëse të duken si të hysh në një derë e të dalësh në një tjetër. Njëzet e dy në
Vraninë me Oso Kukën, edhe njëherë aq në Zharnicë. Le luftën e Vrakës ku malësorët luftuan
rreptë, por u thyen keq. Të mos kishte ndodhë tradhtia e krenve të Shkodrës për të cilën kënduam kangën "nuk jam Shkodra, me u koritë, jam Malsija pushkë me qitë", punët nuk do të shkonin mo zot ma keq, prej kah edhe sot e kësaj dite Hoti i mban mi krye rubat e zeza.»
U ndal diku. Ushtarët hapën sytë, por, kur e panë tek ulej rranzë një dardhe të egër u qetësuan.
Qëndronin përballë. Kishin frikë. Oficeri u qe betuar se, po t'u ikte plaku i bardhë, do t'i vriste.
Po plaku i bardhë nuk kishte ndërmend të ikte. E ku? Mali qe rrethuar kudo me armiq. Më mirë
t'i qëndrosh armikut përballë, se sa të shpëtosh si frikacak. Nxori çibukun e dashur që ia kishte
falë kryetrimi Çun Mula i Hotit. E Çun Mulës së Hotit, dritë pastë, ja kishte falë një burrë
kelmendas, këtij burri kelmendas kur ish në luftë ja kish falë një trim i çartun Kosove. Disa duan
me thanë se asht çibuku i fisit të Mic Sokolit. Ec e merre vesh. Dorë në dorë e në shtatë male
kish kaluar çibuku bashkë me legjendën. Siç kalohet gjoks në gjoks e gojë në gojë kënga e
trimërisë:

"Kah po vjen, more "Çun Mula?
- Prej Këlmendit sot u ula
kam marrë vesh se m' â zanë rruga,
m'a zanë rruga me shumicë
prej n' Kastrat deri n' Kamicë.
Nuk jam Shkodra, me u koritë
jam Malsija pushkë me qitë.
Ç’po gjimo te Mali i Hotit:
n' Podgoricë po kerset topi,
kërset topi edhe pushka,
po na vinë topat me mushka
nëpër mal e nëpër fusha,
nëpër mal e fushavetë
derdhet gjaku i djelve t' zetë,
derdhet gjaku i djelve t' ri
qyqet nana gja nuk dinë,
nuk dinë djelt - o se ku i kanë
korba e sorra n' ta po u hanë!”...

Kur e pat këndue për herë të parë këtë kangë ishte i ri e bridhte shkrep me shkrep me allti për
brez se ndiqej nga koshallët e turkut. Hej, sa kohë kaluan! Kurrë s'e hoqi armën nga dora e
çibukun nuk e humbi. E kish si mik të mirë me të cilin shtjellonte mendimet si në kuvendet pranë zjarmit në odat malësore por edhe në fushë edhe në mal, edhe tek Kroi i Traboinit. Thithi fort duhanin e ofshani kur mëndja i shkoi te liria që nuk e gëzoi kurrë. E pra, shumë djem nanash
ishin vra për atë liri. Nga i gjithë vendi, veri e jug. Disa kohe para se të fillonte kryengritja e të
ngrihej Flamuri, ai hyri te valiu i Shkodrës me kërkesat e malësorëve. Bedri Pasha desh ta blinte
me dymijë lira ari. Por nuk kishte Turqia aq ar sa t'i blinte malësorët. Ne deshëm vetëm lirinë.
Ne luftuam. Qe e gjatë kjo luftë. Ngritëm Flamurin të parët në Bratilë të Deçiqit, fituam lirinë, të
cilën nuk e gëzuam dot. Copë copë trojet. Hoti përgjysmë. As këndej e as andej. Mbeten trimat
pa kulla. E pa mbushur tre vjet, vërshuan prap ushtarët armiq. Po përse? Kë kishin vra shqiptarët e tokën e kujt kishin shkelë?

* * *

Nga grykat nisi të frynte një erë e ftohtë. Hodhi sytë rreth e rrotull. Iu duk se dëgjoi një zile
bagëtish, diku matanë pllajës. Nuk i zuri syri asgjë, veç një fjollë të kaltërremë tymi që merrte
përpjetë drejt qiellit. Plaku u ngrit dhe, pasi kundroi tërë hapësirën e maleve, u nis. Ushtarët
diçka i thanë në gjuhën e tyre, por ai nuk ua vuri veshin. Arriti në kullë kur kish nis të binte
mbrëmja si qefin i zi morti. Rrapi i madh në oborr fëshfërinte lehtë, sikur fliste me vete.
- Nuk i solle, o plak?
- Malet nuk shkulen.
Oficeri u tërbua nga inati. Malësori rrinte i qetë përballë tij. Më tej ushtarët.
- Po unë do t'i shkul.
- Provoje- tha plaku.
- Ti e do jetën?.
- Si nuk e dashkam? Po përse kam luftuar unë? - pyeti plaku i bardhë.
- Në u vrafsh, a të dhimbset jeta?
- Pak. Bile aspak.
- Po ç’të dhimbset ty, o plak i marrë?
- Toka - tha plaku. Pastaj shtoi: - a e di ç'asht toka?
- S'ka më tokë për ju, është toka jonë. Eshtë Serbi - gërthiti oficeri. Malësori qeshi.
- Kështu thanë edhe jeniçerët e Shefqet Turgut Pashës, po shiko rreth e rrotull, ku janë?
Oficeri picërroi sytë e tij të vegjël. Plaku foli përsëri:
- E pra, ku janë?
- Në Turqi - u ngut oficeri.
- Gabohesh. Pse në Turqi? Pa ngreje pak atë gurin që ke nën këmbë. Hë de, ngreje. Zgjate dorën
dhe preke tabanin e ftohtë. Nuk e ndjen frymëmarrjen e të vdekurve? Ka shumë kocka njerëzish
kjo tokë. E thua pastaj se paskan shkuar në Turqi! Si shkuan? Po për së vdekuri nuk luen
kurrkush për at Zot. Kurrkush! Po çka po flas… Ti nuk e di ç'asht toka, o pushtues. Plaku nuk
pranoi t'ia lidhnin sytë. Shkoi vetë pranë rrapit që fëshfërinte e sikur fliste me zogjtë e trumhasur e të fshehur ndenë fletë,… dhe priti. I shkoi mendja te trimat e tij që kishte lanë në fshatin e largët. Atyre do t'u vinte keq, por, do t'ia merrnin hakun. Ishte i vetmi i hot që zunë të gjallë, por veç edhe këtë me tradhti, se hotjanët të gjallë nuk bien në dorë të armikut.
Eh, more trimi im Kolë Marash Vata atje ne varr ku po i dergj 20 vjetet e tua. Ma shume me kjan zemra për ty që shove vatrën, kur le nusen pa djalë e motrën pa fat, se për Gjergjin tem. Më prit se po vi…

* * *

Oficeri thirri një skuadër dhe e vuri disa hapa larg malësorit me flokë e mustaqe të bardha, të
cilat ia ledhatonte freskia e buzëmbrëmjes.
- Çdo të thuash, o plak?
Malësori filloi të fliste ngadalë. Pastaj fjalët morën vrull dhe oficerit iu duk se nga malet
rrokulliseshin ortiqe e vendi shungullonte në një përmbysje vigane. Sikur vërshonin lumenjtë e
shembeshin malet.
- Dëgjo o pushtues. Ikni prej maleve tona para se ato t'ju zanë nën vedi. Për ju ajri nuk ka jetë e
toka nuk jep bukë. Zogjtë e maleve tona nuk cicërojnë për ju. lkni! Dielli ynë ju djeg e krojet e
maleve tona ju helmojnë. Në i paçi shpresat në ndonjë kullë si ajo Esat tradhëtarit, mos shpresoni
shumë. Si kulla e Pashës se Toptanëve janë pak. Edhe ato që janë, u shofshin!
Oficeri u largua. Mustaqet e bardha të plakut u drodhën paksa.
- Erdhi ora e burrit!- i tha vetes plaku i bardhe i Hotit. Nuk i vinte keq se vdiste. Jo! Shumë zjarr
kishte pa në jetën e tij sa shtatë herë trojet i ishin përzhitur. Dëgjoi për herë të fundit fëshfërimën
e fletëve të rrapit ku kishte nisur të pikëllonte vjeshta. Pastaj hodhi sytë tutje në horizontin e
përflakur ku i bëhej se dëgjonte përmes jehonave të largëta, një kënge e jo një gjam Hoti:

"Dedë Gjo Luli, trim me fletë,
për Shqipni ka da me dekë
s' len ma Turk n' Male me prekë
mbrapa i shkon Malsija krejtë!».

Tej e përtej male. Përsëri male. Thua brengat e kësaj toke të jenë ngurosur si revoltë ndaj
padrejtësisë së shekujve?
Male të bardhë, male të thinjur në halle, male me kokën në re…


© Kolec Traboini, nga libri “Petalet e bajames së hidhur” , tregime , f.13-18.

Kreshniku i Hotit Nacional 25.10.2015  nr.324 f.8